SHPËRNDAJE

Jo vetëm ndeshje të thjeshta, por edhe tituj botërorë e trofe prestigjiozë janë vendosur shpesh nga pika e bardhë e penalltive. Por në Serie A, ky aktuali nuk është një sezon i mirë për ata që godasin nga 11-metrat.

Janë plot 23 raste dështimesh që kanë regjistruar lojtarët, të cilët tentuan pa sukses të tundin rrjetën me top të ndalur, me Torinon dhe Pescarën si skuadrat që janë në majën e atyre që gabuan më shumë.

Në analizën e medieve italiane bie në sy edhe emri i shqiptarit Ledian Memushaj. Mesfushori i kuqezinjve, protagonist me Shqipërinë në “Euro 2016” dhe kualifikueset e Botërorit, nuk pati sukses në duelin ndaj Marchettit në ndeshjen ndaj Lacios. Por më keq sesa vlonjati janë sulmuesi Bellotti i Torinos dhe Edin Dzeko i Romës.

Pikërisht këta lojtarë dhe të tjerë kanë kontribuar në 23 dështime, në 26 javë kampionati, pa llogaritur këtu goditjen e dyfishtë të Carlos Bacca në ndeshjen Sassuolo-Milan, një penallti që duhej anuluar.

Nëse konsiderojmë që duhen edhe 12 ndeshje nga fundi i kampionatit italian, ndoshta do të jetë ky viti, kur do të thyhet rekordi me 34 penallti të gabuara në sezonin 2012-2013.

PËRGJIGJU