SHPËRNDAJE

Kanë vazhduar në pistën spanjolle të “Montmelo” testet parasezonale që i hapin rrugë Botërorit të Formula 1 me start këtë fund muaji.

Ekipet po bëjnë kolaudimet e fundit për garën emocionuese të 26 marsit në pistën australiane të Melbërnit dhe nuk munguan surprizat.

Ferrari i drejtuar nga finlandezi Kimi Raikkonen zbriti në pistë me synimin për një kohë të mirë dhe njëvendëshja ishte e veshur me një telajo hekuri dhe sensorë shtesë. Pasditja e testeve në “Montmelo” u ndërpre pikërisht kur piloti nordik humbi kontrollin në kthesën e tretë të cirkuitit iberik duke u përplasur me muret mbrojtëse.

Asnjë pasojë fizike për Raikkonen dhe pak dëme për makinën. Ndërkohë më herët Bottas ishte më i shpejti në pistë duke vendosur rekord edhe me gomat super të buta.

1 minutë 19 sekonda e 310 të mijtat ishte koha e ndalur në kronometër nga piloti i Mercedes, shumë pak diferencë nga ajo e brazilianit Masa, mjaft pozitiv edhe këtë mesjavë. Kohë e mirë në testet e Formula 1 edhe për makinën Red Bull të drejtuar nga Verstappen, ndërsa pesëshja më e mirë kompletohet me Renault e drejtuar nga Nico Hulkenberg.

Ndërkohë në bokset e “Montmelo”; u regjistrua një vizitë surprizë. Pasa asaj të Nico Rosberg javën e kaluar, këtë herë ishte radha e Keke, kampion bote në Formula 1 në vitin 1982.

/ Top Channel

PËRGJIGJU