SHPËRNDAJE

Roger Federer pa limite. Kampioni zviceran siguron gjysmëfinalen e Miami Open pasi kaloi në tre sete çekun Tomas Berdych 6-2, 3-6, 7-6 pasi i anuloi rivalit dy match point. Një arritje e pabesueshme për ish numrin 1 të botës që gjatë 2017-ës duket tërësisht i rilindur pasi nuk kualifikohej në këtë fazë të turneut që prej vitit të largët 2011. Në këtë duel, zvicerani tentoi që në fillim të impononte ritmin e tij por gjatë gjithë ndeshjes tregoi mungesë vazhdimësie me fragmente loje shumë të bukura por edhe me disa momente të errëta. Brdych vinte në çerekfinale me vetëm një lojë të humbur me topat e tij por FedEx e nisi sfidën menjëherë me një break.

Gjatë setit të parë, Federer i lejoi kundërshtarit vetëm dy lojë duke shtruar rrugën por në të dytin humbi ndjeshëm terren duke u dorëzuar në vetëm 34 minuta lojë. Në setin final Federer u rikthye sërish në formë duke iu kundërpërgjigjur rivalit me teknikë dhe fizik edhe pse u mendua se energjitë e tij kishin mbaruar. 6-4 në tie break për çekun me zviceranin që barazoi në 6-6 dhe më pas 8-6. 4 shkëmbime të fituara nga Federer që siguron me vështirësi biletën e gjysmëfinales kundër australianit Kyrgios, 14 vjet më i ri se ai. Surpriza e vërtetë e këtij turneu, 19-vjeçari gjerman, Alexander Zverev nuk arriti t’i bënte ballë australianit që dominoi në tre sete 6-4, 6-7, 6-3.

Në kategorinë e femrave, finalja do të luhet mes danezes Caroline Wozniacki dhe britanikes Johanna Konta. Është pikërisht Konta surpriza e femrave pasi arriti të eliminonte amerianen Venus Williams në dy sete 6-4, 7-5. Përballë 36-vjeçares, britanikja nuk hasi shumë vështirësi duke nxjerrë në pah repertorin e saj më të mirë. Sfida tjetër Wozniacki-Pliskova rezultoi më e luftuar pasi danezja humbi setin e parë 7-5 por më pas ndeshja nuk pati histori pasi ish numri 1 i botës dominoi 6-1, 6-1 duke i lejuar kundërshtares vetëm dy lojë.

 

Raporti:Supersport.al

PËRGJIGJU