SHPËRNDAJE

Sot në zyre të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) tifozët “Dardanët” janë pajisur me bileta të ndeshjes Kosovë-Maqedoni që do të zhvillohet të mërkurën me fillim nga ora 20:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Lideri i tifozëve “Dardanët”, Lorik Berisha i ka pranuar 200 bileta nga u.d. Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.

“Ne do të përkujdesemi që atmosfera në palestër të mërkurën të jetë asisoj që do të mbahet mend gjatë. Premtojmë se do t’i përkrahim djelmoshat tanë prej fillimit e deri në fund, sepse besojmë në forcën e Përfaqësueses sonë dhe në fitore ndaj Maqedonisë. Andaj i ftojmë të gjithë adhuruesit, jo vetëm të basketbollit, por të sportit në përgjithësi, që të vijnë në palestër të mërkurën dhe të përkrahin djemtë tanë që do të na bëjnë krenarë së pari me fitore kundër Maqedonisë dhe më pas edhe me kualifikim tutje në këtë garë”, ka thënë Lorik Berisha, lider i tifozëve “Dardanët”.

Ndërkaq biletat në shitje do të dalin sot (e martë) prej orës 11:00 në lokacionet sheshi “Zahir Pajaziti” dhe tek obelisku New Born. Çmimi i biletës është 4 euro.

Duhet theksuar se Kosova është pjesë e Grupit C të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”, së bashku me Maqedoninë dhe Estoninë. Kjo fazë e parakualifikimeve do të zhvillohet prej 2 deri më 19 gusht 2017./fbk/

PËRGJIGJU