SHPËRNDAJE

Një sezon për të qartësuar të gjitha dilemat, ky i sivjetmi për Raikkonen, i cili ka zhvilluar disa gara të shkëlqyera, siç ishte edhe ajo e fundit në Hungari kur veproi shumë mirë pas shpinës së Vettel për t’i siguruar fitoren, por gjithsesi jo me vazhdimësi.

Bilanci i finlandezit me Ferrarin, deri tani kur kanë nisur pushimet verore, e sheh Kimin në vendin e pestë në klasifikim me 116 pikë, teksa është ngjitur 4 herë në podium dhe ka siguruar një “pole position” në Montecarlo, por ende pa arritur te fitorja që i mungon prej Çmimit të Madh të Australisë në vitin 2013. Ndërkohë, distanca me shokun e tij të skuadrës, kryesues i Botërorit të F1, për momentin është 86 pikë.

“Personalisht nuk jam i kënaqur me rezultatet. Dua të fitoj, sepse kjo është arsyeja përse jam ende në Formulën 1”, thotë Kimi Raikkonen për “Autosport”. “Shpeshherë kanë ndodhur gjëra, për të cilat më është dashur të paguaj çmimin. Bëhet fjalë për disa gjëra të vogla, për të vendosur gjithçka në vendin e vet, pasi shpejtësia nuk më mungon dhe ndaj nuk shqetësohem”, ka shtuar ai.

Edhe fjalët e thëna nga Marchionne duket se nuk e rrezikojnë finlandezin për një tjetër vit te “kokëkuqja”, sigurisht, gjithnjë në krah të Sebastian Vettel.

“Nëse marrim në konsideratë të gjitha garat e deritanishme, nuk ndihem shumë i lumtur. Por kaq kemi mundur të marrim deri tani, e këtë gjë nuk mund ta ndryshojmë. E ardhmja? Nuk e di, do ta shohim. Skuderia e di se çfarë dua unë: objektivi im i vetëm është të bëj më të mirën e mundshme. Situata nuk është asnjëherë argëtuese kur gjërat nuk shkojnë mirë. Kemi shpejtësinë e duhur, por nuk është e mjaftueshme, nëse gjërat e tjera nuk shkojnë siç do të kishe dashur të shkonin”, thotë Kimi.

/ Top Channel

PËRGJIGJU