SHPËRNDAJE

Pas finales së humbur kundër Alexander Zverev në turneun e Montrealit, veterani i fushave të tenisit, Roger Federer vendosi më në fund të marrë një pauzë të shkurtër.

Mosha e sportistit helvetik krahasuar me rivalët e tjerë të toplistës është në diferencë të dukshme dhe lodhja bën punën e saj. Pikërisht për këtë, zvicerani vendosi të mos marrë pjesë në Mastersin e Sinsinatit.

Zyrtarisht mësohet se Roger Federer vuan nga një dhimbje në muskujt e shpinës, që u përkeqësua në turneun kanadez këtë muaj. Stafi teknik i helvetikut i këshilloi të pushojë dhe të rikuperojë energjitë për të marrë maksimumin e formës në US Open, që është në program në Nju Jork, në fundin e gushtit.

“Jam shumë i zhgënjyer që më duhet të tërhiqem, por e kam sforcuar shpinën time në Montreal dhe kam nevojë që të kem pak pushim”, tha 36-vjeçari nga Bazeli.

Tërheqja e Federerit nga turneu në Ohajo ka pasojat e saj, sidomos në renditjen e ATP-së. Largimi i zviceranit do t’i mundësojë spanjollit Rafael Nadal rikthimin në vendin e parë në renditjen botërore, që do të zyrtarizohet të hënën e 21 gushtit.

/ Top Channel

PËRGJIGJU