SHPËRNDAJE

Shtegu automobilistik i Buenos Airesit ka pritur plot 20 gara emocionuese të Formulës 1, por pas një shkëputjeje prej thuajse dy dekadash, drejtuesit e kampionatit spektakolar mund ta rikthejnë sërish në kalendar.

Ndalesa argjentinase e garave ka qenë që prej vitit 1953 deri më 1998, por mund të jetë pjesë e kalendarit ndoshta sërish pas dy vitesh.

Drejtori i garave të Formulës 1, Charlie Whiting kompletoi një inspektim informal të kryeqendrës në Amerikën Latine, për të vlerësuar kapacitetet dhe gjendjen aktuale të pistës dhe ndërtesave përreth.

Sipas medieve argjentinase, delegacioni u shpreh i kënaqur me gjendjen aktuale, duke lënë të kuptohet se mund të ketë një garë të Formulës 1 në vitet e ardhshme.

“Liberty Media”, që zotëron të drejtat komerciale të Formulës 1, ka nënvizuar gjithmonë se është në favor të një kalendari me më shumë se 21 gara sezonale. Kjo ka ngjallur interesin e shumë vendeve për të qenë nikoqir mes të cilave edhe Portugalia e Turqia.

Por, Argjentina po bën hapa konkretë dhe, nëse finalizohet, kjo do të jetë ndalesa e tretë e Botërorit në Amerikën Latine, pas Brazilit dhe Meksikës.

/ Top Channel

PËRGJIGJU