SHPËRNDAJE

Kampionati europian i basketbollit për meshkuj ka mësuar emrat e 4 skuadrave të para çerekfinaliste, e surprizat këtu nuk kanë munguar.

Dy prej skuadrave më të mira të kontinentit, si Franca dhe Lituania i thanë përpara kohe “lamtumirë” këtij kompeticioni.

Skuadra e Vincent Collet u eliminua në 1/8-at e finaleve nga Gjermania, me këtë të fundit që e fitoi sfidën me rezultatin 84-81. Kjo është hera e parë në 20 vitet e fundit, që Franca mbetet jashtë 8-shes më të mirë europiane.

Ndeshja po shkonte mirë për “Blutë”, që për 30 minuta ishin në avantazh. Situata ndryshoi në favor të gjermanëve në periodën e fundit, kur ata morën avantazhin në këtë ndeshje për ta ruajtur atë deri në fund, duke siguruar vendin mes 8 më të mirave të Europës.

Surprizën e dytë në Eurobasket e bëri Lituania, që u mposht nga Greqia me rezultatin 64-77. E drejtuar nga një Sloukas i papërmbajtshëm, skuadra helene e mori kontrollin e sfidës që në fillimin e saj, për të mos e humbur atë në asnjë moment.

Madje, Greqia arriti që ta çojë në +17 diferencën e pikëve me lituanezët, të cilët nuk ishin në ditën e tyre më të mirë, e për këtë mjafton të shohësh që skuadra baltike regjistroi 13 sulme të humbura.

U kualifikuan në çerekfinalet e Europianit të Basketbollit edhe Italia e Sllovenia. Italia e drejtuar nga Ettore Messina mposhti në 1/8-at e finaleve Finlandën me rezultatin 70-57. “Të kaltrit” ishin pothuajse perfektë në dy periodat e para, të cilat i mbyllën me avantazhin e 19 pikëve, 48-29. Në pjesën e dytë, italianët e humbën disi saktësinë në gjuajtje, megjithatë ata arritën të mbyllin këtë ndeshje në favorin e tyre për të prerë biletën e çerekfinaleve.

Ndërsa Sllovenia kaloi në çerekfinale teksa mposhti Ukrainën 79-55, duke shënuar fitoren e saj të 6 në po kaq ndeshje të zhvilluara në Eurobasket. Ishte një ndeshje që nuk pati shumë histori, me skuadrën sllovene që e dominoi totalisht atë, gjë që e tregon edhe diferenca prej 24 pikësh e krijuar në fund të takimit me ukrainasit.

/ Top Channel

PËRGJIGJU