SHPËRNDAJE

Mbretëresha e re e “US Open” është Sloan Stephens. Tenistja amerikane bëri të sajin të gjithë Nju Jorkun, teksa triumfoi në “Flushing Meadows” duke mundur në finale Madison Keys.

Mendohej se kjo finale, e gjitha amerikane, do të ishte e luftuar, por fusha e lojës tregoi tjetër histori.

Sloan Stephens dominoi këtë përballje, duke mos i lënë asnjë hapësirë kundërshtares së saj që t’i përgjigjej në lojë. Tenistja nga Florida zhvilloi një ndeshje perfekte, të cilën e fitoi 2-0, me sete 6-3 dhe 6-0.

Stephens, gjatë kësaj ndeshjeje ishte e aftë t’i përgjigjej çdo sulmi të Keys, por “arma” e saj më e fortë ishte gjakftohtësia. Krejt ndryshe ndodhi me Madison Keys, që e pa veten të shkatërrohej nga kundërshtarja e saj, sidomos në setin e dytë.

Sfida u mbyll me përqafimin e dy tenisteve, lotët e Keys dhe buzëqeshjen e kampiones Stephens, mbretëresha më e re e “US Open”.

Sot në mbrëmje do të zhvillohet edhe finalja e meshkujve, ku në fushë do të zbresin numri 1 i botës, Rafael Nadal, dhe Kevin Anderson, me spanjollin që do të kërkojë triumfin e tretë në “US Open” dhe titullin e tij të 16 “Grand Slam”.

/ Top Channel

PËRGJIGJU