SHPËRNDAJE

Numri 1 i botës Rafael Nadal mundi në tre sete tenistin bullgar Grigor Dimitrov, duke u kualifikuar për në fazën gjysmëfinale të Mastersit të Shangait. Ndonëse vuajti shumë Rafa regjistroi kështu suksesin e dytë radhazi në Kinë në harkun e vetëm gjashtë ditëve, ndaj tenistit ballkanas, duke siguruar njëherësh edhe fitoren e 870 në karrierë, fitore që e barazon në “open era” në vendin e gjashtë me tenistin e famshëm amerikan Andre Agassi. “Grizho” e mbylli takimin me plot 42 goditje fituese, 10 më tepër sesa tenisti spanjoll, megjithatë kjo gjë nuk e parandaloi dot humbjen e 10 në 11 përballjet ndërmjet tyre. 31-vjecari nga Mallorca nuk u thye asnjëherë në servis, ndërsa për Grigor Dimitrov që setin e dytë e fitoi në tie break rezultoi fatal game i nëntë në setin hapës si dhe game i gjashtë në setin final.
Numri 9 i botës shpërdoroi një mundësi për break në game-n e pestë të setit përcaktues, moment që ndryshoi përfundimisht rrjedhën e ndeshjes, sepse menjëherë më pas 26-vjecari bullgar humbi shërbimet e veta dhe Rafa mbylli gjithë takimin me rezultatin 6-4, 6-7, 6-3, në dicka më tepër se dy orë e gjysmë lojë. Nadal që nuk e ka fituar kurrë më parë Mastersin e Shangait, në gjysmëfinale do të vihet përballë tenistit kroat Marin Cilic, ndaj të cilit Rafa ka fituar 4 nga 5 ndeshjet ndërmjet tyre.
Në pjesën e poshtme të shortit Roger Federer respektoi parashikimet dhe e mbylli ndeshjen në vetëm dy sete. Numri 2 i botës dhe njëkohësisht kampioni i Shangait në vitin 2014 u mjaftua me një game me shërbimet e kundërshtarit në lojën e parafundit të setit hapës, sidoqoftë vlen të përmendet loja shumë e mirë e Richard Gasquet që ndonëse kishte fituar vetëm 2 nga 17 përballjet ndërmjet tyre reagoi me kundërbreak që në fillimin e setit të dytë. Në fund 36-vjecari zviceran e theu në servis numrin 31 të botës, për të mbyllur krejt ndeshjen me rezultatin 7-5, 6-4.
Në gjysmëfinale Roger Federer ka rastin për të marrë hak për eliminimin e parakohshëm në US Open, teksa do të ndeshet me tenistin argjentinas Juan Martin del Potro. 29-vjecari nga Tandilli, që aktualisht pozicionohet në vendin e 23 në renditjen botërore përmbysi disavantazhin e setit të parë, për të fituar gjithë takimin me rezultatin 4-6, 6-1, 6-4 në pothuajse dy orë lojë, duke i shkaktuar serbit Viktor Troicki humbjen e shtatë në po kaq përballje ndërmjet tyre.

/Supersport/al

PËRGJIGJU