SHPËRNDAJE

Australiani Daniel Ricciardo rrëfen se ka ende “karta nën mëngë” për të luajtur gjatë negociatave me Red Bullin, sa i përket rinovimit të kontratës përtej sezonit 2018 në Formulën 1.

Shoku i tij në skuderinë austriake, Max Verstappen e rinovoi vetëm pak javë më parë kontratën e tij deri në fund të vitit 2020, ndërsa drejtuesi kryesor i Red Bullit, Christian horner e ka bërë të qartë se prioriteti kryesor i tij është nënshkrimi me Ricciardon.
Por piloti australian dëshiron të presë deri sezonin e ardhshëm për të vendosur, në mënyrë që të vlerësojë edhe më mirë performancën e Red Bullit, ndërsa ndihet në një pozicion tejet komod bisedimi.

Kjo do të jetë hera e parë që Ricciardo do të jetë i lirë të negociojë kontratën e re, në vend që të ishte Red Bulli që do të thoshte fjalën e fundit, që kur ai iu bashkua programit të kësaj skuderie për të rinjtë në fillim të karrierës së tij.
“Nuk kam ndërmend të ndryshoj strukturën menaxheriale. Nuk kam pasur asnjëherë ndonjë ekip të madh përreth meje, por kam avokatin tim që më ndihmon me të tilla gjëra. Fakti që unë do të jem pa kontratë vitin e ardhshëm dhe do të kem kartat e mia nën mëngë për të luajtur, nuk mendoj se më nevojitet që të nxitoj, por nëse Christian dhe Helmut shpresin interesin e tyre për të më mbajtur, atëherë do të ishte diçka e mirë që do të dëgjoja”, thotë Ricciardo.

Sipas tij, kjo do të ishte shumë herë më mirë sesa t’i dëgjoje ata të thoshin “mezi presim që Ricciardo të largohet”.
“Kjo është hera e parë për mua që jam në një pozicion komod, ndaj dua të marr më të mirën e mundshme aktualisht. Sigurisht që dua t’i bëj gjërat në respekt të plotë, do të jem i hapur për diskutime me ta dhe nuk kam për të mbajtur sekrete. Edhe pse kam fuqi për të negociuar çështjet financiare, për mua synimi kryesor është të vlerësoj performancën e skuderisë. Besoj se jam ende konkurrent i denjë për të ndjekur makinat më të shpejta, kështu që nuk jam në fund të karrierës sime”, shtoi më tej australiani i Formulës 1.

Horner ka deklaruar se Red Bulli është i gatshëm të presë deri në fillim të Botërorit të vitit 2018, për të marrë përgjigjen e Ricciardos mbi të ardhmen e tij në Formulën 1, gjë që nënkupton se duan ta mbajnë atë. Megjithatë, duke ditur se Ricciardo do të jetë pa kontratë në fund të sezonit të ardhshëm, Red Bulli nuk mund ta ndalojë atë të nënshkruajë për ndonjë nga rivalët në F1.

/Top Channel

PËRGJIGJU