SHPËRNDAJE

Trajneri i kombëtares, Cristian Panucci ishte mjaft i lumtur me paraqitjen e kuqezinjve, veçanërisht në pjesën e parë, kur skuadrat ishin me forca të barabarta. Tekniku vlerësoi angazhimin dhe punën e mirë të bërë në këtë javë grumbullimi me futbollistët, ndërsa tha se skuadra po arrin të vërë në jetë idetë e tij.

“Mendoj se sot ishte një ndeshje e vërtetë, jo thjesht një miqësore. Mendoj se deri në momentin e kartonit të kuq, luajtëm një futboll mjaft të bukur dhe u sollëm si skuadër e madhe. Kjo besoj se ishte frut asaj 1 jave punë që bëmë së bashku. Pra, nuk është vetëm fitorja, ajo që vlen, por mënyra se si luajtëm dhe futbolli fantastik që shfaqëm, të paktën në pjesën e parë. Gjithsesi, jam i bindur që kemi akoma edhe shumë punë për të bërë, por jam i kënaqur që skuadra po i përqafon mirë idetë e mia”, tha Panucci.

Trajneri italian i Shqipërisë evidentoi edhe disa probleme në mbrojtje të skuadrës, por theksoi se do të vijojë punën, për të përmirësuar edhe këtë repart.

“Kemi pësuar dy gola të evitueshëm, por po punojmë që të eliminojmë këto defekte. Gjithsesi, edhe Turqia ka futbollistë shumë të mirë, ndaj është normale të pësosh 2 gola ndaj tyre”, tha trajneri i Shqipërisë.

Panucci vlerësoi edhe paraqitjen e afrimeve të reja, jo vetëm për atë që dhanë në fushën e lojës, por edhe për angazhimin gjatë ditëve të grumbullimit, ndërsa premtoi se ata do të jenë sërish pjesë e kombëtares.

“Jam i kënaqur me prurjet e reja, sepse janë thirrur për herë të parë, por që do të vijojnë të jenë pjesë e kombëtares, edhe në takimet e ardhshme. Paraqitja e tyre, jo vetëm sot në ndeshje, por edhe në grumbullim, ka qenë shumë profesionale”, tha Panucci./Zeri.

PËRGJIGJU