SHPËRNDAJE

Strategu italian, Carlo Ancelotti mendon se qetësia është pjesë integrale e karakterit të tij si trajner dhe bie dakord kur Cristiano Ronaldo e krahason me një “ari të madh”. Tekniku italian ishte një personazh i gjithëpranuar dhe popullor në skuadrën e Real Madridit, duke fituar trofeun e 10-të në Champions League. Vjet, Ronaldo tha se Ancelotti është “si një ari i madh, një njeri i këndshëm dhe i ndjeshëm”. I pyetur për këtë në “Goal.com“, Don Carlo tha se do të gënjente nëse do të sillej ndryshe. “Ky është karakteri im. Mendoj se veten duhet ta prezantosh me karakterin që ke.”

“Unë jam i qetë dhe i urtë, mendoj ngaqë kurrë s’jam rrethuar nga njerëz të ashpër. Babai im ishte i qetë, kështu edhe mësuesja ime e parë, edhe trajneri im i parë. Gjithsecili duhet të tregojë karakterin e vet. Nuk e di nëse ky karakter është i mirë për të qenë trajner, por këtë më duhet të shfaq. Dua të jem i sinqertë me lojtarët dhe me klubin”, – shtoi 57-vjeçari, karriera e të cilit ka qenë një odise e vërtetë, e mbyllur kudo me aventura të suksesshme. Natyrisht, ka çaste kur Ancelotti nuk i kontrollon dot emocionet e tij, por edhe për këtë ka gjetur një “truk”. “Nganjëherë i bie divanit kur jam me të vërtet me nerva, por tani preferoj të qëndroj i qetë. Preferoj të mos flas me lojtarët e mi, nëse jam me nerva. Më mirë flas ditën tjetër, kur të jemi të gjithë të qetë”, – rrëfeu strategu i futbollit, i cili në shtator bëri edhe një vizitë në Tiranë për të prezantuar librin e tij.

PËRGJIGJU